Wednesday, 20 November 2013

Tollumba

Tullumbat janë një ëmbëlsirë mjaft e njohur në vendin tonë. Brumi i tullumbave siç është ai i pastës shu është një brum i zier. Këto ëmbëlsira skuqen direkt në vaj të nxehtë e më pas futen në shurup sheqeri. Janë vërtet të shijshme e miqtë tuaj do të mbeten të kënaqur nga ky gatim.

Për 25 copë tullumba

Për brumin :


  • 1 gotë miell
  • 2-3 lugë gjelle gjalpë
  • 4 vezë
  • pak kripë
  • pak sheqer
  • 3/4 gote ujë

Për shurupin ( sherbetin )


  • 2 gota sheqer
  • 2 gota ujë
  • vaj për skuqje

Përgatitja për Tullumbat

Hedhim në një tenxhere ujin, pak kripë, gjalpin dhe pak sheqer. I përziejmë mirë dhe i ngrohim deri sa të vlojë. Pastaj hedhim miellin e situr dhe e përziejmë shpejt me një lugë druri. E lemë në zjarr të ulët duke e përzier gjithmonë derisa të shohim që masa të shkëputet lehtë nga anët e enës dhe nga luga e drurit. Më pas masën e përgatitur e hedhim në një enë qelqi e lemë të ftohet pak deri në 70-80°. Pastaj i shtojmë vezët duke e përzier me kujdes. Vazhdojmë ta përziejmë derisa të arrijmë një masë të trashë në formë kremi dhe pak elastike.
Brumi i përgatitur hidhet në xhep pastiçeri ose shiringë duke i vënë formën e dhëmbëzuar.
Në një tigan hedhim vaj dhe e lemë të nxehët. Fillojmë të hedhim brumin nëpërmjet formës së dhëmbëzuar direkt në vaj të nxehtë. I skuqim mirë nga të dy anët.
Pasi janë skuqur i heqim me kujdes nga vaji dhe i hedhim në shurup të ftohtë ku mbahen përreth 1-2 minuta.
Më pas i nxjerrim dhe i rreshtojmë në pjatë. Pasi janë ftohur komplet i shërbejmë tullumbat.

No comments:

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...