Wednesday, 27 November 2013

Rënia e flokëve, shkaqet dhe rastet kur duhet të shqetësohemi

Rënia e flokëve, shkaqet dhe rastet kur duhet të shqetësohemi:

Stresi, ndotja, përdorimi i kimikateve, ekspozimi në rrezatimet e dëmshme, si dhe sëmundje të caktuara klasifikohen nga mjekët dermatologë si shkaqet kryesore që çojnë në dobësimin dhe më pas rënien e flokut. Shqetësim ky që shfaqet në rritje gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rënia e flokut jo në çdo rast është problematike, pasi humbja e deri 100 fijeve në ditë konsiderohet si normale dhe nuk përbën shqetësim. Mjekia dermatologe, Monika Fida, detajon për gazetën “Dita” shkaqet dhe format se si shfaqet rënia e flokut së bashku me këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të mos u përballur me një fenomen shqetësues që ndikon negativisht në pamjen tonë estetike të përditshme. Në materialin bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të gjitha format dhe shkaqet se si manifestohet rënia e flokut.

Alopecia (rënia e flokëve)

Rënia e flokëve ose, siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore, Alopecia, është një sëmundje që shoqërohet me rënie të flokëve në formë vatrash (Alopecia areata) ose në të gjithë lëkurën e kokës (Alopecia totalis). Rënia difuze e flokëve çon në të ashtuquajturën defluidum ose efluvium të flokut. Humbja e flokëve mund të jetë e formave të ndryshme dhe në varësi të saj përcaktohet edhe rikuperimi ose jo i tyre. Duke iu referuar këtij klasifikimi vëmë në dukje se rënia e flokëve mund të jetë e përkohshme dhe mund të trajtohet nga mjeku dermatolog (duke iu nënshtruar trajtimeve specifike). Nga ana tjetër, humbja e flokut mund të jetë edhe e përhershme dhe trajtimi i saj mbetet vetëm në ndihmën e kirurgut plastik, i cili me atë të procedurave të zhvilluara të transplantit mund të çojë në rikuperimin e flokëve të humbur.

Rastet kur rënia e flokut kalon kufijtë e normalitetit

Floku rritet në normën 0.35mm në ditë dhe ka një densitet 80.000-150.000. Një sërë faktorëh ndikojnë në rritjen dhe rënien e flokut. Konkretisht do të përmendim trashëgiminë, influencën e faktorëve patologjike të jashtëm e të brendshëm si psh: faktorë dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve të caktuara etj. Në persona normalë rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 fijeve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike, për të cilën është e nevojshme konsultimi me mjekun specialist dermatolog. Çdo ditë pra ne humbasim deri në 100 fije floku në ditë, të cilat më pas zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij, pavarësisht fijeve që bien. Çdo folikul ose rrënjë e flokut ndjek një ritëm të caktuar, me faza rritje dhe pushimi. Në përfundim të çdo faze, pushimi floku bie dhe një fazë e re me formim të një floku të ri fillon, duke zëvendësuar fijet e humbura.

3 fazat në të cilat kalon rritja e flokut

Janë tre faza në ciklin e rritjes së flokut që njihen konkretisht si: anagen ose faza e rritjes, katagen ose faza tranzitore, si dhe faza e tretë telogen ose faza e pushimit. Ndalemi në mënyrë të detajuar tek secila prej tyre.

Faza e rritjes anagen

Në këtë fazë floku është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të ndryshëm dëmtues të jashtëm (bojëra, deklarues, kimikate e produkte të forta, stresi etj). Floku në ditë rritet 0.35 mm dhe kjo periudhe zgjat 3-6 vjet

Faza Katagjen ose faza kalimtare.

Kjo fazë zgjat 3 javë.

Ndërsa faza telogen ose e pushimit zgjat 3-4 muaj. Floku në fazën telogene mund të shkëputet pa dhimbje. Në fund të fazës floku bie vetë ose mbetet në krehër gjatë krehjes. Flokët që mbeten në krëhër i përkasin flokëve që janë në këtë fazë.

Në fillimin e një cikli të ri të flokëve folikuli (rrënja) kthehet në dermë të thellë, ndërton një rrënjë të re në formë qepe (bulbi) dhe kështu formon një flok të ri. Trashëgimia është faktor i rëndësishëm në ciklin e flokëve. Cikli i flokëve është i përcaktuar gjenetikisht për çdo rrënjë të flokëve, për çdo individ dhe për çdo zonë të trupit.

Trikograma, statusi i rënies së flokut, si dhe rastet kur duhet të shqetësohemi

Është ekzaminimi që bëhet për të vënë diagnozën dhe për të përcaktuar llojin e rënies të flokut duke vërejtur gjendjen e rrënjës së flokut në mikroskop. Flokët nuk duhet të jenë larë për rreth 5-7 ditë. Ekzaminimi konsiderohet si normal ose trikograma është normale kur 85 për qind, rreth 100.000 flokë të kokës janë në fazën e rritjes. Në fazën kalimtare 0.5-1 për qind e flokëve, si dhe 15 për qind të flokëve në fazën e pushimit. Por në kontakt me faktorë të ndryshëm që do t’i detajojmë në vijim, këto raporte në përqindje ndryshojnë duke na dhënë forma të ndryshme të rënies të flokëve (alopecisë).

Në pacientë që ankohen nga rënia e flokëve vërehen në trikograme: pakësim i flokëve normalë në fazën e rritjes/anagen deri në 30 për qind.

Rritja e flokëve jo të shëndetshëm 20 për qind dhe rritja e flokëve në fazën e pushimit/telogen 30-50 për qind.

Faktorët që favorizojnë rënien e flokëve:

• Predispozicioni gjenetik

• Ndryshime stinore

• Faktorët hormonale: hiperndjeshmeri ndaj androgeneve, deficiti i estrogeneve,

• Faktorët psikologjik: stresi, shoku emocional (vdekjet, aksidentet, operacionet, ndarjet) etj,

• Disa sëmundje të rënda, lindjet ku nevojat e organizmit për vitamina e kripëra janë më të shtuara

• Anemia, kequshqyerja, sëmundje endokrine (p.sh të tiroides)

• Medikamentet (sidomos kimioterapia)

• Sëmundjet e lëkurës të lokalizuara në kokë

• Traumat dhe agresionet ndaj flokut

• Dietat, dhe çrregullimet ushqimore

• Përdorimi kimikateve

• Ekspozimi ndaj rrezatimeve të ndryshme etj.

Rënia e tipit të vonshëm:
Dëmtimet gjatë ndonjë sëmundje të ndryshme infektive me temperaturë, toksicitet ose në lindje pasqyrohen më vonë me një rënie të flokëve pas 2-4 muajve pasi faktorët dëmtues kanë vepruar në ciklin e flokëve.


Rënia e menjëhershme:
Shumë rrënjë të flokëve reagojnë ndaj stimujve dëmtues qoftë sëmundje të ndryshëm por dhe marrja e medikamenteve të ndryshëm dhe kështu shumë flokë mund të bien brenda pak ditëve pas dëmtimit. Pra, shfaqet alopecia e tipit imediat.



Presioni dhe tërheqja e flokëve gjatë kapjes ndikojnë në rënien e tyre

Presioni kronik dhe tërheqja çojnë në ndryshime të rikthyeshme, që frenojnë komplet formimin e flokut ose që formohen flokë të hollë si push. Alopecia nga presioni kronik shpesh shkaktohet nga shkaqe profesionale si në gratë që mbajnë shporta në kokë ose nga mbajtja e objekteve të tjera. Alopecia nga tërheqja ose fërkimi kronik vërehet në format e ndryshme të kapjes së flokëve në disa kapje tradicionale të flokëve. Në raste të tilla duhet të tregohemi të kujdeshëm edhe në formën se si ne i lidhim flokët, dhe sa shumë i shtrëngojmë apo i tërheqim, veprime këto që janë të dëmshme pasi nxisin rënien, duke e dobësuar shumë rrënjën e flokut si pasojë e presionit të tërheqjes.

Dëmtimet e thella dhe humbja e përhershme e flokëve:
Rënia/Alopecia nga traumat dhe nga sëmundje të tjera në lëkurën e kokës. Rënia e përhershme vjen si rezultat se rrënjët/folikujt e flokëve mungojnë nga anomali të lindura ose ato janë dëmtuar rëndë gjatë jetës si rezultat i faktorëve dëmtues. Burrat tullacë ose gratë me alopeci si të meshkujve kanë rrënjë të rikthyera në miniaturë( të vogla). Tek rënia e përhershme vërehet në dëmtimet e thella në lëkurën e kokës që çojnë në cikatrice të lëkurës janë siç janë djegiet me lëndë të ndryshme dhe acide, sëmundjet e lëkurës ulcerative. Rënia nga shkulja e flokëve, sëmundjet e lokalizuara në kokë, rrezatimet ose djegiet mund të çojnë në shkatërrim total të folikulit të flokut (rrënjës) e si pasojë në rënie të përhershme.



Flokët bien edhe nga infeksionet virusale:
Dëmtimet e ngjashme shkaktohen dhe nga infeksionet virusale siç është gangrena në Herpes Zoster, infeksionet bakteriale si tuberkulozi, lepra, sifilizi terciar, pustulosis euzinofilike, dermatozat erozive pustulare të skalpit të kokës, sëmundjet mykotike të thella, neoplazmat ulcerative si hemangioma, limfoma malinje, karcinoma bazoqelizore ose melanoma malinje. Shkaqe e patologji të tjera që shoqërohen me rënie të parikthyeshme të flokëve mund të jenë: Lichen planus atrofik, Lupus diskoid eritematoz, Sklerodermia, Nekrobiosis lipoidike, Sarkoidiosis, Epidermiolisis distrofike hereditare, Pemphigoid cikatricial, Lupus vulgaris, Favus, Dermatosis erozive pustulare e scalpit, Folikuitis dekalvans, Carcinoma bazoqelizore, Porphyria dhe Genodermatozat si Iktiosis vulgaris, Inkontinence pigmenti. Rrezatimi jonizues mund të çojë në një dermatit aktiv dhe një alopeci të parikthyeshme.

Rënia nën ndikimin e faktorëve genetikë
Alopecia androgenike quhet alopecia që shoqërohet me rënie të flokëve nën prezencën e një predispozicioni gjenetik dhe influencës së hormoneve androgjenëve. Vërehet me shpesh te meshkujt por haset dhe tek femrat. Tek femrat përveç faktorit gjenetik ndikon dhe rritja e hormoneve androgene ose rritja e përgjigjes ndaj këtyre hormoneve dhe vihet re midis moshës 20-40 vjeç. Rënia ose hollimi i flokëve vërehet kryesisht në zonën qendrore të kokës (zonën e kurorës). Flokët ekzistues janë të hollë, dhe shpesh kjo gjendje mund të shoqërohet edhe me akne.

Nese ky informacion ishte i dobishem per ju, te lutem SHPERNDAJE. Faleminderit 

No comments:

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...