Saturday, 1 November 2014

Pasta Sfoglia

Pasta sfoglia është një petë e veçantë e bërë kryesisht me gjalpë. Kjo është një recetë e rëndësishme dhe e detyrueshme për tu ditur sepse kjo lloj pete gjen një përdorim të gjerë në kuzhinë. Eshtë ideale si për torta të kripura, ashtu dhe për ato të ëmbla. Përgatitja e këtij brumi është pak i komplikuar por të gjithë mund ta provojmë ta bëjmë. Mund ta përgatisim kur të kemi kohë, e vendosim në ngrirje në frigorifer dhe e përdorim kur të na duhet për receta të ndryshme.Kjo lloj pete për vetë përgatitjen e saj ka shumë shtresa.

Thuhet që kjo petë e ka origjinën nga Egjipti i vjetër që më pas kaloi në Greqi ku gjen një përdorim të gjerë në kuzhinën greke. Në kohët e sotme, përgatitja e saj kryhet me makineri të posaçme. Por gjithsecili nga ne mund ta provojë ta përgatisë edhe në kushtet e shtëpisë. Ka disa receta për përgatitjen e kësaj pete. Ne kemi sjellë këtu këtë recetë që na është dukur më e përshtatshme.

Përbërësit për Petë e veçantë me gjalpë (Pasta Sfoglia)

    Për brumin duhen:


  • 350 gr miell

  • 200 gr ujë

  • pak kripë

  • Për brumin me gjalpë duhen:


  • 250 gr gjalpë

  • 75 gr miell


  • Përgatitja

    Fillojmë me përgatitjen e brumit të parë. Në gotën me ujë hedhim kripën dhe e shkrijmë në të. Hedhim miellin mbi tavolinën e drurit, e bashkojmë me ngadalë me ujin. Vazhdojmë ta punojmë për disa
    minuta brumin. Më pas brumin e përgatitur e mbështjellim me një pecetë dhe e lemë të ‘qetësohet’ përreth gjysmë ore.
    Ndërkohë fillojmë të përgatisim brumin me gjalpë. Marrim gjalpin dhe e presim në copa. E bashkojmë me 75 gr.miell. Vazhdojmë ta punojmë shpejt brumin. Kur të kemi arritur një masë homogjene, me ndihmën e një okllahije, i japim formën e një katrori me një trashësi rreth 1 cm. Më pas e mbulojmë me qeskë kuzhine dhe e vendosim në frigorifer përreth gjysmë ore. Pasi ka kaluar kjo kohë, marrim brumin e parë dhe e hapim në formë drejtkëndëshi, në mes të tij vendosim brumin me gjalpë. Mbyllim të katër anët e drejtkëndëshit sikur të ishte një kuti, duke e lenë brenda brumin me gjalpë. Me anë të një okllahie shtojmë presion mbi petën e krijuar.



    Do të shohim se brumi i gjalpit brenda do të bashkohet mirë me gjithë petën. Vazhdojmë ta hapim petën derisa të arrijmë përsëri formën e një drejtkëndëshi. Marrim dy anët e gjata dhe i palosim në mes, duhet të kemi kujdes që të mos jenë sipër njëra-tjetrës. Pastaj i mbyllim si libër. Do të kemi një drejtkëndësh me katër shtresa.

    E mbledhim brumin me qeskë dhe e fusim në frigorifer për gjysmë orë. Më pas e nxjerrim dhe përsërisim të njëjtën gjë si më sipër, dmth. e hapim petën, mbyllim anët, dhe e palosim dhe e vendosim përsëri në frigorifer për gjysmë orë. E përsërisim dhe një herë tjetër këtë veprim, dmth e kemi punuar petën 3 herë dhe pastaj e vendosim në frigorifer të pushojë përreth një orë përpara se ta përdorim për receta të ndryshme. Siç e thamë edhe më lart, petën e përgatitur mund ta fusim në ngrirje dhe ta përdorim kur të na duhet.

    No comments:

    Post a Comment

    Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...