Wednesday 5 November 2014

( Bukë lepurushi ) - Simite për mëngjes


 Këto bukë janë ideale për mëngjes si për fëmijë edhe gjithë familjen. Nëse dëshironi mund ti shoqëroni me pak reçel ose çokokrem sipër, ose thjesht siç janë. Janë shumë të shijshme dhe ngjajnë shumë me “croissant”.


Përbërësit për Simite për mëngjes - (Bukë lepurushi)


  • 1kg miell

  • 500 ml qumësht

  • 2 vezë + 1 të verdhë veze për lyerje sipër

  • 150 gr vaj

  • 3 lugë gjelle me sheqer ose mjaltë

  • 30 gr maja birre

  • pak kripë

  • pak lëkurë limoni

  • pak ujë i vakët

Përgaditja : 

Si fillim shkrijmë majanë në pak ujë të vakët. Hedhim miellin në banakun e punës dhe i hedhim pak kripë. I trazojmë pak.Më pas hedhim gjithë përbërësit me radhë. Fillojmë me vezët, i përziejmë ngadalë, pastaj shtojmë sheqerin ose mjaltin, dhe më pas qumështin e vajin. Shtojmë pas kësaj edhe majanë e shkrirë.

Zëmë brumin shpejt, e ngjeshim mirë. E punojmë me kujdes. E vendosim brumin në një enë qelqi dhe e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lemë brumin të vijë përreth 1 orë ose derisa të shohim që masa dyfishohet. Më pas e marrim brumin dhe e bëjmë në formë roleje. E ndajmë në 20 pjesë. Çdo pjesë e bëjmë në formë roleje, si formë kërmilli dhe i vendosim në një tepsi ku kemi vendosur letër furri.

Pasi i kemi vendosur të gjitha pjesët mbulojmë tepsinë dhe e lemë që të vijë përreth 15 minuta. Më pas në një enë rrahim të verdhën e vezës me pak qumësht dhe i lyejmë sipër simitet me furçë. Vendosim tepsinë në furrë të nxehtë 180°C dhe i pjekim përreth 25-30 minuta, ose derisa të shohim që simitet sipër kanë marrë një ngjyrë të bukur të kuqërremtë.

Pasi kemi fikur furrën i lemë akoma në të përreth 10-15 minuta. Më pas i nxjerrim i lemë të ftohen pak dhe i ndajmë. I shërbejmë simitet të ngrohta, të shoqëruara me pak reçel ose i shijojmë ashtu siç janë.

Ju bëftë mirë !

No comments:

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...